Secondary Adv

Rritet buxheti për rrugët, ja cilat jane projektet që do financohen në 2026

Buxheti i vitit 2026 parashikon 20.22 miliardë lekë për investime në rrugë, me rritje nga një vit më parë.

Projektet kryesore që marrin financim

Sipas projektbuxhetit të dorëzuar në Kuvend, fondet për ndërtimin dhe sistemimin e rrugëve do të rriten në 20.22 miliardë lekë nga 18.53 miliardë lekë në vitin aktual. Projekti më i madh i financuar mbetet ndërtimi i Korridorit 8, me vlerë totale 8.4 miliardë lekë për 13 lotet që janë në proces. Një tjetër projekt i rëndësishëm është bypassi i Tiranës, që përfiton rreth 2.2 miliardë lekë, ndërsa për herë të parë është përfshirë si zë buxhetor edhe loti III, me nisje financimi në vitin 2027.

 

Projekte të reja lidhëse dhe zgjerime infrastrukturore

Ndërtimi i rrugës lidhëse Tiranë–Elbasan me Korridorin VIII është një tjetër projekt i ri që synon lehtësimin e trafikut pranë rrethrrotullimit të Bradasheshit, me financim që parashikohet të nisë në 2027. Gjithashtu, buxheti 2026 siguron fonde për zgjerimin e autostradës Tiranë–Durrës në tre lotet ekzistuese, me një total prej 1.93 miliardë lekësh. Faza IV dhe V e këtij projekti do të financohen në 2027. Ndërkohë, parashikohet rikonstruksioni i rrugës Kombinat–Ndroq–Plepa, me përfshirjen e loteve II dhe III për herë të parë këtë vit, si dhe rehabilitimi i rrugës Fier–Kthesa e Patosit–Frataj me 1.2 miliardë lekë.

 

Investime në jug dhe projektet PPP

Një tjetër projekt që do të financohet është ndërtimi i fazës së parë të bypass-it të Sarandës, me fond prej 720 milionë lekësh. Paralelisht, qeveria do të vazhdojë pagesat për kontratat e partneritetit publik–privat me një total prej 5.3 miliardë lekësh. Këto fonde do të shkojnë për rrugën e Arbrit, autostradën Milot–Morinë, rrugën Orikum–Dukat dhe shërbimet inxhinierike të tyre, përfshirë PPP-të për ndërtimin e akseve Thumanë–Kashar dhe Lekaj–Fier.

Burimi: Scantv


Më të lexuarat